This post is also available in: Bosnian English македонски (Macedonian)
Infographic: BIRN
Që nga mesi i viteve 1990, më shumë se 200 njerëz janë dënuar me më shumë se 1,100 vjet burg në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor për veprime terroriste ose për largim nga vendi për të luftuar në një luftë të huaj, sipas analizës së BIRN.
Por raporti i dënimeve është i pabarabartë dhe ekspertët e intervistuar nga BIRN thonë se secili vend përballet me sfida të konsiderueshme në trajtimin e luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre që janë kthyer, ose pritet të kthehen.
Më shumë se 160 luftëtarë janë burgosur për shkak se i janë bashkuar konflikteve në Siri dhe Ukrainë, pjesë e një vale luftëtarësh të huaj nga Ballkani që nxitën Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi t’i konsiderojnë të jashtëligjshme veprime të tilla në vitin 2014 dhe 2015.
Kosova dhe Serbia kanë dënuar numrin më të madh të luftëtarëve të huaj, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur më shumë dënime për terrorizëm të brendshëm. Shqipëria ende nuk ka dënuar në shkallën e dytë asnjë luftëtar i huaj të kthyer. Sipas gjetjeve të BIRN, nuk ka pasur vendime përfundimtare për terrorizëm të brendshëm në Mal të Zi.
Anes Cengic, një ish-shef i kundër-terrorizmit në Bosnjë, tha se sigurimi i një dënimi është një gjë, por riintegrimi i luftëtarëve të huaj është diçka tjetër.
“Si një ish-polic, nuk mendoj se puna nuk mbaron duke dhënë një dënim dhe duke e dërguar personin në fjalë për ta vuajtur këtë dënim”, tha Cengic për BIRN
Duke krahasuar dënimet shumë më të gjata në vendet e BE-së sesa ato në Ballkanin Perëndimor për bashkim me grupet e huaja terroriste, analisti i sigurisë me bazë në SHBA, Adrian Shtuni, tha se gjykatat e Ballkanit duhet të rimendojnë qasjen e tyre.
“Praktikat e dënimit në Ballkanin Perëndimor në rastet që përfshijnë vepra penale të terrorizmit mund të kenë nevojë për një rimendim dhe ndoshta të jenë në një linjë më të ngushtë me praktikat e dënimit në vendet e Bashkimit Evropian”, tha ai.
Ai citoi nga një studim nga viti 2019 që tregon ndryshimet në mesataren e dënimeve me burg në Ballkanin Perëndimor. Dënimi mesatar në vendet e BE-së në 2018 ishte dy herë më i gjatë sesa në Ballkanin Perëndimor – me shtatë vjet burg – shtoi ai.
Megjithatë, ai vazhdoi, “dënimet më të gjata me burg nuk janë një zgjidhje më vete, por duhet të shoqërohen me rehabilitim, mbikëqyrje dhe programe riintegrimi”.
Bosnja dënoi luftëtarë të huaj me më pak se dy vjet burg mesatarisht. Në Kosovë, dënimi mesatar me burg për vepra të lidhura me terrorizmin ishte tre vjet e gjysmë, tha Shtuni, duke shtuar se, që nga fillimi i vitit 2020, dënimi mesatar në Kosovë ishte ulur më tej.
Në Serbi, dënimet ndryshojnë midis dënimeve për luftime në Ukrainë dhe në Siri. Ndërsa luftëtarët që ktheheshin nga Ukraina merrnin kryesisht dënime me kusht ose arrest shtëpie, dënimet për bashkim me Shtetin Islamik, ISIS, shkonin deri në 11 vjet burg.
“Ajo që shkaktoi pabarazi të konsiderueshme të vërejtur në qasjen e dënimit për veprat penale të ngjashme të ilustruara më sipër nuk është shumë e qartë”, tha Shtuni.
Luftëtarët që kthehen nga Ukraina, vuri në dukje ai, i ishin bashkuar grupeve ultranacionaliste dhe supremaciste të bardha, “të motivuar nga ideologji që nxisin urrejtje dhe dhunë”.
Ata që kthehen nga konflikti i ISIS-it në Siri paraqisnin një tjetër grup sfidash, tha ai.
Vendeve u mungojnë kapacitetet dhe ekspertiza e specializuar për rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, pasi rrjetet që financuan dhe ndihmuan radikalizimin e tyre islamik ishin aktive në mënyra të ndryshme.
“Këto rrjete përfaqësojnë shtyllën kurrizore ideologjike dhe logjistike të lëvizjes militante xhihadiste në rajon”, tha ai.
“Si të tillë, ata do të vazhdojnë të përbëjnë një rrezik domethënës përsa i takon sigurisë kombëtare për qarqet e Ballkanit dhe për të ardhmen. Kjo është veçanërisht e tillë pas kthimit të një numri mjaft të madh luftëtarësh të huaj terroristë nga Siria dhe Iraku dhe pas lirimit gradual të tyre nga burgu.”
Bosnje: vërtetimi i fajësisë është bërë një sfidë
Aktet e terrorizmit përcaktohen nga dy nene të kodit penal. Dënimi minimal për aktet e terrorizmit është pesë vjet burg dhe në rastet që përfundojnë me vdekjen e një ose më shumë personave, dënimi minimal me burg është tetë vjet.
Nëse autori me qëllim privon nga jeta një person, ai ojo/ajo përballen me jo më pak se dhjetë vjet burg.
Ata që përgatisin mjete për kryerjen e akteve terroriste përballen me dënime që variojnë nga një deri në dhjetë vjet burg.
Në vitin 2014, në parlament u dërgua një ndryshim në ligj, sipas të cilit pjesëmarrja në një luftë të huaj u bë një vepër penale.
Gjykatat në Bosnjë kanë dënuar 39 persona me një total të kombinuar prej pak më shumë se 164 vitesh burg për pjesëmarrje në fushëbeteja të huaja dhe për kryerje, planifikim dhe përgatitje të akteve terroriste. Ata kanë liruar nga akuzat tre persona.
Ndërkohë, 14 persona janë dënuar me pak më shumë se 117 vjet burg për terrorizëm brenda vendit.
Munib Ahmetspahic është një nga të paktët njerëz në Ballkan që ka dalë në gjyq për terrorizëm brenda vendit dhe për pjesëmarrje në luftime jashtë vendit, në rastin e tij, në Siri.
Në vitin 2013, gjykatat e liruan atë nga akuzat në shkallën e dytë për shkatërrim të provave pasi një i dyshuar tjetër, Mevlid Jasarevic, qëlloi me armë zjarri në drejtim të ambasadës amerikane në Sarajevë në tetor 2011, për të cilën Jasarevic u dënua me 15 vjet burg.
Por në prill 2019, Ahmetspahic u dënua me tre vjet burg se iu bashkua militantëve islamikënë Siri dhe Irak midis 2013 dhe 2018.
Dënimi më i gjatë i dhënë nga gjykatat e Bosnjës deri më tani për terrorizëm ishte për Haris Causevic. Në 2010 ai u dënua me 35 vjet burg për një sulm me armë në një ndërtesë policie në qytetin qendror të Bugojnos, në të cilën një oficer vdiq dhe një tjetër u plagos.
Bashkëpunëtori i tij, Adnan Haracic, u dënua me 14 vjet burg pas një marrëveshje pranimi fajësie.
Gjykata shtetërore e Bosnjës ka dhënë vendime të shkallës së dytë në 16 çështje, duke dënuar 25 persona me një total të kombinuar prej pak më shumë se 47 vitesh burg ose për luftime në Siri, për përpjekje për të arritur atje ose për rekrutim të të tjerëve për ta bërë këtë.
Secili u dënua me nga një deri në shtatë vjet burg; dënimi më i gjatë iu dha Husein Bosnic në qershor 2016, për rekrutim dhe nxitje terrorizmi.
Nga të dënuarit për aktivitet në një luftë të huaj, Mehmed Tutmic mori dënimin më të rëndë – katër vjet burg në vitin 2017.
Në nëntë çështje në lidhje me luftimet në Siri, tetë të pandehur u dënuan me nga një vit burg pasi u vetëdklaruan fajtorë.
Aktualisht, në Bosnjë është në vazhdim vetëm një gjyq për luftime në Siri – ai i Ibro Cufrovic. Ai u dënua në shkallën e parë me katër vjet burg. Si mbrojtja ashtu edhe prokurorët e kanë apeluar vendimin.
Shtatë shtetas boshnjakë të kthyer në Bosnje nga Siria në dhjetor 2019 mbeten në paraburgim.
Një zëdhënës për prokurorinë shtetërore tha se, në lidhje me terrorizmin, po përpunoheshin kallëzimet penale kundër 46 personave në 25 çështje të veçanta, ndrysa 31 persona në 30 çështje ishin nën hetim.
Ligji boshnjak nuk i klasifikon luftimet në Ukrainë si një akt terrorist, ndryshe nga luftimet në Siri, ku Kombet e Bashkuara kanë cilësuar ISIS një organizatë terroriste.
Armin Krzalic, i Qendrës për Studime të Sigurisë me qendër në Sarajevë, tha se akuzat për terrorizëm janë të vështira për t’u provuar në përgjithësi, pra numri i marrëveshjeve për pranim fajësie.
“Gjetja e provave materiale është një problem”, tha ai. “Kjo është arsyeja pse gjykatat kanë lidhur marrëveshje me individë të caktuar.”
Vlado Azinoviç, një profesor shkencash politike në Sarajevë, thekson se Bosnja ishte vendi i parë në rajon që shpalli të paligjshëm shkuarjen në një fushëbetejë të huaj, por pranoi gjithashtu se vërtetimi i fajësisë kishte rezultuar i vështirë dhe se do të ishte një sfidë e ardhshme.
“Ndjekja penale e personave për të cilët kemi prova që ishin të përfshirë në aktivitetet e ISIS – pasi ata kishin mbushur formularë në të cilët ishin të qartë teksa shprehnin dëshirën për t’u bërë luftëtarë … ka rezultuar një sfidë e vështirë për të gjithë ata të përfshirë në këtë proces – prokurorët, avokatët dhe veçanërisht gjyqtarët”, tha ai.
Një sfidë tjetër është risocializimi, shtoi Azinoviç. Ai vuri në dukje se Këshilli i Evropës po vë në zbatim një projekt për të punuar me të dënuarit që përfshin komunitete lokale dhe policinë, për të shmangur problemin që komunitetet lokale mësojnë për të dënuarit që kthehen tek ata vetëm disa javë para se kjo të ndodhë.
“Nëse me të vërtetë duam të jemi të përgjegjshëm ndaj rehabilitimit ose riintegrimit të tyre, ai proces duhet të fillojë më herët”, pohoi Azinovic.
Kosova: Kthimet masive nga Siria krijojnë probleme
Kodi penal i Kosovës parashikon dënim me të paktën pesë vjet burg për kryerjen e një akti terrorist. Nëse vepra penale sjell dëmtim të rëndë trupor të një ose më shumë personave, autori dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burg.
Nëse vepra sjell vdekjen e një ose më shumë personave, autori përballet me një dënim me burg që varion nga 15 vjet burg deri në dënim me burgim të përjetshëm.
Asistimi në kryerjen e terrorizmit sjell dënime që variojnë nga gjashtë muaj deri në dhjetë vjet burg; ndihma dhe financimi i kryerjes së terrorizmit, rekrutimi dhe trajnimi për terrorizëm ndëshkohet me dënime që variojnë nga pesë në 15 vjet burg.
Nxitja për të kryer një akt terrorist dënohet nga një deri në 5 vjet burg; fshehja ose mos raportimi i terroristëve ose grupeve terroriste, nga gjashtë muaj deri në dhjetë vjet burg; organizimi dhe pjesëmarrja në një grup terrorist dënohet me deri në 20 vjet burg; udhëtimi me qëllim terrorizmin dënohet me nga një deri në dhjetë vjet burg.
Neni 3 i ligjit, mbi Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Shtetit, e përcakton “bashkimin ose pjesëmarrjen në një ushtri ose polici të huaj, në formacione të huaja paraushtarake dhe para-policore, në grupe të organizuara ose individualisht, jashtë territorit”, drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte, si një krim.
Ky ligj parashikon dënime nga pesë deri në 15 vjet burg për organizatorët, rekrutuesit, drejtuesit ose trajnuesit e një “personi ose të grupeve me qëllim për t’u bashkuar ose për të marrë pjesë” në grupe të huaja për konflikt të armatosur jashtë vendit, tre deri në 15 vjet burg për “çdo mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte, oferta, kërkesë, mbledhje ose fshehje të fondeve ose mjeteve të tjera materiale me qëllim, me vetëdije, ose nëse ka arsye të arsyeshme për të besuar se ato do të përdoren tërësisht ose pjesërisht “në subjekte të huaja për konflikt të armatosur jashtë vendit; tre deri në 15 vjet burg për cilindo që merr pjesë në subjekte të huaja për konflikt të armatosur jashtë vendit; gjashtë muaj deri në pesë vjet burg për ata që publikisht “thërrasin ose nxisin” pjesëmarrje në subjekte të huaja për konflikte të armatosura jashtë vendit, ose që fshehin informacione, ose që nuk arrijnë të raportojnë planifikimin e këtyre aktiviteteve dhe strehojnë autorët e këtyre veprave penale; përjashtimet nga dënimet janë të mundshme për ata që bashkëpunojnë me organet e akuzës dhe zbulojnë grupin dhe shmangin kryerjen e veprës penale.
Në mars 2015, Kosova miratoi një ligj që ndalon bashkimin me konfliktet e armatosura jashtë territorit shtetëror, të përkufizuar si “bashkim ose pjesëmarrje në një ushtri ose polici të huaj, në formacione të huaja paraushtarake dhe para-policore, në grupe të organizuara ose individualisht, jashtë territorit ”, në mënyrë direkte ose indirekte. Dënimet për fajësi varionin nga gjashtë muaj deri në 15 vjet burg.
Por ekspertja e sigurisë Besa Kabashi, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e firmës konsulente “B.K.R. & Associates”, tha për BIRN se është e vështirë të hetohet niveli i përfshirjes që një i kthyer mund të ketë pasur në një konflikt të huaj, në zona që janë ende në konflikt dhe të paarritshme, e jo më të dallohen rrethanat e kësaj përfshirjeje.
Një tjetër sfidë, shpjegoi Kabashi, është përfshirja e personave të mitur dhe “fëmijëve ushtarë” në luftërat e huaja, si dhe riintegrimi i tyre nëse prindërit e tyre kanë vdekur ose janë burgosur për periudha të gjata.
Në fund, shpjegoi Kabashi, gratë janë veçanërisht të vështira për t’u ndjekur penalisht, “pasi është e vështirë të provosh pozicionin e një gruaje në një marrëdhënie brenda një mendësie të caktuar që mund të mos i ketë lënë asaj zgjedhje tjetër – është e vështirë të dihet me siguri nëse pjesëmarrja e saj në një konflikt të huaj ishte vullnetare ose jo, dhe në çfarë cilësie”.
Kabashi tha se riintegrimi i të kthyerve nga një luftë e huaj ishte bërë një përparësi e qeverisë në vitin 2017, por kjo ishte përballur me një sfidë të re vitin e kaluar.
Në prill 2019, 110 shtetas – 32 gra, 74 fëmijë, kryesisht nën moshën 15 vjeç, dhe katër luftëtarë të rritur – u kthyen njëherësh nga Siria.
Aktakuza për pjesëmarrje në organizata terroriste u ngritën kundër të gjitha grave. Fëmijët janë pjesë e disa aktiviteteve për riintegrim të drejtuara nga Ministria e Brendshme.
Prokuroria Speciale thotë se Kosova ka paditur 171 persona gjithsej për terrorizëm, ndërsa gjykatat kanë dënuar 123 persona për çështje të lidhura me terrorizmin. Gjykatat kanë marrë vendime për 87 aktakuza të ngritura për pjesëmarrje në luftërat e huaja, ndërsa 57 çështje mbeten në proces.
21 persona të tjerë janë nën hetim dhe 107 raste për pjesëmarrje ose përpjekje për të marrë pjesë në luftëra të huaja janë pezulluar.
Në vendimet përfundimtare, gjykatat në Kosovë kanë dënuar 81 persona për pjesëmarrje në luftërat e huaja. Sipas Kabashit, ligji në Kosovë që konsideron si të jashtëligjshëm bashkimin me konflikte të armatosura të huaja nuk i kushton vëmendje lirimin me kusht pas burgimit.
“Çdo përpjekje për riintegrim përtej dënimit me burg duhet të bëhet mbi baza vullnetare”, tha ajo, duke shtuar se Kosova gjithashtu nuk ka ende një plan kombëtar riintegrimi që “do të shkurtonte ciklin vicioz, do t’i lejojë ata të bëhen pjesë të vetë-qëndrueshme të shoqërisë, do të ulte cënueshmërinë e tyre dhe ndërkohë do të përmirësonte sigurinë kombëtare”.
Shqipëria: Asnjë luftëtar i huaj i kthyer nuk është dënuar
Aktivitetet e lidhura me terrorizmin në Shqipëri dënohen sipas nenit 28 të Kodit Penal, “Forma të veçanta bashkëpunimi”; nenit 230, “Akte me qëllim terrorist”; neni 230/a, “Financimi i terrorizmit”, neni 230/b, “Fshehja e fondeve dhe pasurive të tjera që financojnë terrorizmin”; neni 230/d, “Mbledhja e fondeve për financim të terrorizmit”; neni 231, “Rekrutimi i personave për kryerjen e akteve me qëllime terroriste ose financimin e terrorizmit”; neni 232, “Trajnimi për të kryer akte me qëllime terroriste”; neni 232/a, “Nxitja, thirrjet publike dhe propaganda për kryerjen e akteve me qëllime terroriste”; neni 232/b, “Kërcënimi për të kryer akte me qëllime terroriste”; dhe neni 234/a, “Organizatat terroriste”.
Dënimet për akte me qëllime terroriste dhe për financim të terrorizmit variojnë nga 15 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Pjesëmarrja në organizatat terroriste shkakton dënime me burg që variojnë nga shtatë deri në 15 vjet. Në korrik 2014, parlamenti miratoi ndryshime të reja në Kodin Penal për të përfshirë përfshirjen në luftime jashtë vendit. Aktualisht, pra, Kodi Penal përmban gjithashtu nenin 265/a, “Përfshirja në operacionet ushtarake në një shtet të huaj”; neni 265/b, “Organizim i përfshirjes në operacione ushtarake në një shtet të huaj”; dhe neni 265/c, “Thirrja për përfshirje në operacione të dhunshme ushtarake në një shtet të huaj”. Dënimet me burg për këto vepra shkojnë deri në 15 vjet.
Katër burra nga rajoni verior i Shkodrës mbeten nën hetime në Shqipëri për terrorizëm pasi ishin midis 19 të arrestuarve në tetor 2016 në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut për një komplot për të sulmuar një ndeshje futbolli midis Shqipërisë dhe Izraelit.
Kosova dënoi dhe burgosi tetë prej tyre në 2018, por katër personat e ndaluar në Shqipëri u lanë të lirë për shkak të mungesës së provave, pasi kaluan një vit në paraburgim. Prokurorët kërkuan që gjykata ta mbyllë çështjen, por u urdhëruan të vazhdojnë hetimin.
Sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në 10 vitet e fundit, 23 persona janë dënuar me një vendim të formës së prerë vetëm për akuza në lidhje me terrorizmin ose për akuza për terrorizëm të kombinuara me të tjera, si krijimi i “organizatave kriminale”, “grupeve të strukturuara kriminale” ose “bandave të armatosura”, etj.
Ndërsa njëri u dënua me burgim të përjetshëm, 22 të tjerët u dënuan me një total prej 256 vitesh burg, një mesatare prej 11.6 vitesh burg secili. Dhjetë të tjerë u shpallën të pafajshëm.
Andon Mëhillaj u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata e apelit në mars 2017. Ai dhe gjashtë të tjerë u akuzuan për vrasje dhe kërcënim të njerëzve në Shqipëri, duke përdorur armë dhe eksplozivë TNT.
Ata u punësuan nga të tjerë për të kryer këto vepra kriminale. Krahas akuzave për “akte me qëllime terroriste”, ata dolën në gjyq edhe për një sërë akuzash të tjera të tilla si “vrasje me paramendim”, krijim i “organizatave kriminale” dhe të tjera.
Në vitin 2015, prokuroria ndërpreu hetimet kundër tre shqiptarëve të dyshuar për rekrutimin e luftëtarëve të huaj, pasi ata besohej se ishin në Siri, dhe njëri ishte ndoshta i vdekur.
Gjykatat në Shqipëri ende nuk kanë dënuar asnjë në shkallën e dytë për luftime në një vend të huaj dhe për rikthim në atdheun e tyre, edhe pse rreth 140 persona u larguan nga Shqipëria për të marrë pjesë në luftëra të huaja në 2013 dhe 2014.
Rreth 45 persona u kthyen brenda disa muajsh, përpara miratimit në vitin 2014 të një ligji që e penalizon aktin. Që atëherë, asnjë luftëtar i huaj nuk është kthyer në Shqipëri nga Siria ose Iraku dhe nuk ka gjykime në vazhdim për pjesëmarrje në luftëra të huaja.
Në nëntor 2016, gjykatat dënuan nëntë persona, përfshirë dy hoxhallarë të vetëshpallur, në shkallën e dytë, për rekrutimin e të paktën 70 luftëtarëve për në Siri dhe Irak. Ata u dënuan me një total të kombinuar prej 102 vjet e tetë muaj burg; secili dënim varionte nga tetë muaj deri në 18 vjet burg.
Në maj 2017, Almir Daci, një imam i vetëshpallur, u dënua në mungesë me 15 vjet burg për rekrutimin e luftëtarëve për në Siri. Vendimi nuk ishte i formës së prerë. Ai besohet se ka vdekur në luftime në prill 2016, megjithëse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar të vdekjes së tij.
Ndërsa Shqipëria ndaloi pjesëmarrjen në luftërat e huaja dhe rekrutimin ose organizimin e luftëtarëve të huaj në 2014, ligji i saj nuk i përcakton këto si “akte terroriste”.
Redion Qirjazi, drejtor i programit të sigurisë në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, tha se sistemi gjyqësor shqiptar nuk kishte përvojë me raste të tilla dhe ishte përballur me një sfidë në trajtimin e atyre që u rikthyen në vend.
“Sfida kryesore me të cilën përballen institucionet gjyqësore do të jetë kategorizimi i saktë i njerëzve që pritet të kthehen”, tha Qirjazi, duke shpjeguar se nuk mund të zbatohet e njëjta qasje për viktimat, luftëtarët, bashkëpunëtorët dhe anëtarët e familjes.
Mali i Zi: Luftëtarët e kthyer janë një çështje e vogël
Kodi penal përcakton një sërë aktesh të lidhura me terrorizmin, për të cilat dikush mund të dënohet me të paktën pesë vjet burg. Dënimi është i njëjtë për ata që kërcënojnë të kryejnë një akt terrorist. Nëse vdekja e një ose më shumë personave ndodh gjatë një akti terrorist, ata që e kryejnë këtë akt rrezikojnë një minimum prej dhjetë vjet burg, ose 12 vjet nëse vrasin një ose më shumë persona me qëllim gjatë aktit.
Nxitja për kryerjen e akteve terroriste dënohet me të paktën dhjetë vjet burg, dhe rekrutimi dhe anëtarësimi në organizata për të kryer akte terroriste dënohet me nga një deri në dhjetë vjet burg. Përdorimi i një pajisje shpërthyese në një akt terrorist dënohet nga një deri në 15 vjet burg, nëse kjo shkakton vrasjen me dashje të dikujt ose shkatërrimin e rëndë të një ndërtese.
Financimi i terrorizmit dënohet nga një deri në dhjetë vjet burg.
Në mars 2015, Mali i Zi miratoi ndryshime ligjore që kriminalizuan pjesëmarrjen në konflikte të huaja. Këto tani dënohen me deri në 10 vjet burg. Ndryshimet në Kodin Penal e bëjnë krim bashkimin ose pjesëmarrjen në “konflikte të armatosura jashtë territorit të Malit të Zi”.
Gjykatat në Mal të Zi nuk kanë dhënë ende ndonjë vendim të shkallës së dytë për terrorizëm brenda vendit. Por në maj të vitit 2019, Gjykata e Lartë në Podgoricë dënoi 13 persona në shkallën e parë për rolet e tyre në një përpjekje të pretenduar grushti shteti në vitin 2016, të përcaktuar si një “akt terrorist”.
Ata përfshinin dy oficerë ushtarak rus të dënuar në mungesë, tetë serbë dhe dy politikanë malazezë të opozitës. Ata u dënuan me deri në 15 vjet burg.
Mali i Zi e kriminalizoi pjesëmarrjen në konflikte të huaja në mars 2015, me dënime që variojnë deri në 10 vjet burg. Rekrutimi, organizimi, financimi, inkurajimi, udhëheqja ose trajnimi i luftëtarëve të huaj ishte gjithashtu i jashtëligjshëm me dënime të mundshme që varionin nga dy deri në 10 vjet burg.
Në prill 2017, Marko Beroviç u dënua me gjashtë muaj burg për luftime së bashku me separatistët e mbështetur nga rusët në Ukrainë në vitin 2015. Në janar 2018, Gjykata e Lartë në Podgoricë dënoi Hamid Beharovicin me gjashtë muaj burg për bashkimin me ISIS në Siri.
Prokuroria e posaçme shtetërore nuk ka pranuar të tregojë për BIRN se në sa çështje gjyqësore që kanë lidhje me luftëtarë të huaj po punon aktualisht.
Koordinatori shtetëror i qeverisë për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, Dragan Pejanovic, tha se nuk kishte të dhëna për ndonjë qytetar malazez të larguar drejt Sirisë pas vitit 2015.
Më parë ishin larguar 23 vetë, tha Pejanoviç, ndërsa tetë burra, një grua dhe një numër fëmijësh ishin kthyer nga Siria dhe disa ishin kthyer gjithashtu nga Ukraina.
Ashtu si në Bosnjë, analistja Andjelija Lucic tha se sfida më e madhe për Malin e Zi ishte në “rehabilitimin dhe riintegrimin” e këtyre të kthyerve. “Veprimet parandaluese forcojnë qëndrueshmërinë shoqërore ndaj këtij fenomeni”, tha Lucic.
Serbi: Gjyqet vonohen dhe pak masa parandaluese
Kodi Penal i Serbisë parashikon dënime nga pesë deri në 15 vjet për akte terroriste. Dënimet për kanosjen për kryerjen e një akti terrorist variojnë nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg. Dënimet i kalojnë dhjetë vjet burg, nëse një akt terrorist rezulton në vdekjen e një ose më shumë personave, ose nëse ka shkatërrim të madh material. Nëse vrasja e një ose më shumë personave bëhet me dashje, dënimet me burg variojnë nga 12 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.
Rekrutimi për një akt terrorist dhe nxitja publike e terrorizmit sjell dënime nga një deri në dhjetë vjet burg. Dënimi është i njëjtë për financimin e terrorizmit.
Në vitin 2014, Serbia miratoi një ligj që ndalon qytetarët të luftojnë në fushëbeteja të huaja në formacione ushtarake ose paraushtarake, përveç rasteve nëse janë pjesë e një misioni zyrtar të një organizate ndërkombëtare, në të cilën Serbia është anëtare. Dënimet variojnë nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg.
Luftimet jashtë vendit parashikohen si të dënueshme përmes dy inkriminimeve të ndara, pjesëmarrja në luftë ose konflikt të armatosur në një shtet të huaj ose organizimi i pjesëmarrjes në një luftë ose konflikt të armatosur në një vend të huaj.
Në prill 2018, Gjykata e Lartë në Beograd dënoi shtatë persona për akte terroriste – Abid Podbicanin, Sead Plojovic dhe Terfik Mujovic u dënuan secili me nga 11 vjet burg, Goran Pavlovic me 10 vjet burg, Izudin Crnovrsanin dhe Rejhan Plojovic me nëntë vjet e gjysmë burg dhe Ferat Kasumovic në shtatë vjet e gjysmë burg.
Agjencia e lajmeve Tanjug e Serbisë njoftoi se ata u gjetën fajtorë për akte terroriste, rekrutim dhe trajnim për akte terroriste, financim terrorizmi dhe nxitje publike për akte terroriste.
Sipas vendimeve, Pavlovic dhe Plojovic kishin krijuar lidhje me ISIS dhe Frontin al-Nusra me ndihmën e Podbicanin dhe Mujovic.
Vendndodhja e Podbicanin, Pavlovic dhe Plojovic nuk dihet, kështu që ata u dënuan në mungesë.
Gjykata i shpalli ata fajtorë për “mbledhjen e parave nga njerëz që kishin të njëjtat bindje në Serbi dhe vendet përreth, si dhe Evropën Perëndimore, dhe financimin e largimit të disa shtetasve serbë të rekrutuar për të marrë pjesë në konflikte të armatosura, fillimisht në kampe trajnimi dhe më pas në frontet e betejës në Siri”.
Milan Antonijevic, i cili ndoqi procesin, tha më parë për BIRN se vëmendja në këtë gjyq u përqendrua në faktin se paraburgimi i të paditurve zgjati për gati katër vjet – dhe se gjyqi ishte përsëritur pas disa ndryshimeve në Dhomën Gjyqësore.
“Zgjatja e procedurave gjyqësore… janë situata për të cilat grupet e të drejtave të njeriut duhet të përgjigjen”, tha Antonijevic, duke shtuar se procedurat më të shpejta dhe më efikase duhet të jenë një përparësi.
Antonijevic, tani drejtor ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur në Beograd, tha për BIRN se më herët, pavarësisht njoftimeve zyrtare për masat ligjore të ndërmarra kundër luftëtarëve pjesëmarrës në luftëra të huaja, “ato në një farë mënyre mbeten në hijen e ngjarjeve të tjera mediatike”.
“Për momentin, masat parandaluese, domethënë funksioni parandalues i dënimit, nuk janë të dukshme; këto procedura nuk janë në një farë mënyre në vëmendjen e medias”, tha ai, duke shtuar se “çështja e risocializimit e luftëtarëve të huaj në ligjin penal të Serbisë nuk është diçka që ka marrë shumë vëmendje”.
Një raport mbi terrorizmin në Serbi në 2018, të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit e publikoi në nëntor 2019, tha se rreziku i sulmeve terroriste dhe niveli i rekrutimit për ISIS në Serbi ishin të ulëta.
Ai tha se kërcënimet kryesore terroriste në Serbi mbetën lëvizja e mundshme e parave dhe armëve nëpër rajon, rekrutimi i ushtarëve të kthyer dhe rivitalizimi i ideologjive terroriste, si dhe mundësia e vetë-radikalizimit.
Që nga viti 2015, gjykatat serbe kanë dënuar 29 persona për pjesëmarrje në luftime me njësitë e mbështetura nga Rusia në Ukrainë. Të gjithë ata që u dënuan arritën marrëveshje për pranim fajësie. Kjo bëri që shumica e tyre të dënoheshin në liri me kusht për rreth një vit. Tre u dënuan me gjashtë muaj arrest shtëpie. Dënimet e tyre me kusht që ata të mos kryenin të njëjtën vepër penale brenda një periudhe të caktuar kohe, zakonisht midis një dhe pesë vjet.
Maqedoni e Veriut: Pak kapacitet, koordinim apo parandalim
Ligji penal i Maqedonisë së Veriut e sanksionon terrorizmin në nenin 394-b, i cili përcakton dënimet me burg për një person të shpallur fajtor për terrorizëm me deri në dhjetë vjet burg. Një person i shpallur fajtor për “kërcënim serioz” për të kryer një akt terrorist dënohet me të paktën tetë vjet burg.
Ata që bëjnë thirrje, nxisin ose frymëzojnë akte terroriste, dënohen me katër deri në dhjetë vjet burg.
Neni, 394-v, (sipas alfabetit cirilik) parashikon gjithashtu dënime me burg për financimin e terrorizmit, duke filluar nga tetë vjet burg.
Maqedonia e Veriut e ndryshoi Kodin Penal në 2014 për të shtuar nenin 322-a, i cili adreson luftimet jashtë vendit. Ky nen parashikon një dënim minimal prej katër vjet burg për çdo shtetas që merr pjesë në “formacione të huaja ushtarake, policore, paraushtarake ose para-policore” të paautorizuara.
Dënimi minimal me burg për organizimin e rekrutimit ose financimit të formacioneve të tilla është pesë vjet burg.
Organi Koordinues Kombëtar i Maqedonisë së Veriut për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën Kundër Terrorizmit thotë se ka identifikuar 156 persona që morën pjesë në luftime në Irak dhe Siri, nga të cilët 35 besohet të kenë vdekur atje, ndërsa 23 nga 83 që janë kthyer në vend kanë marrë dënime.
Rasti më i spikatur, në të cilin 11 persona u dërguan në burg në 2016, i koduar me emrin “Celula”, kishte të bënte me një grup të shpallur fajtor për rekrutimin e njerëzve për të luftuar në Irak dhe Siri dhe për pjesëmarrje në forcat e huaja paraushtarake.
Ky ishte rasti i parë i tillë pasi vendi ndryshoi ligjin në 2014 për të përfshirë dënime me burg për pjesëmarrje në konflikte ushtarake të huaja. Dënimi minimal për pjesëmarrjen në konflikte të tilla tani është katër vjet burg dhe pesë vjet burg për organizimin dhe financimin e pjesëmarrjes në to.
Sipas informacioneve të disponueshme, prokuroria ka ngritur akuza kundër tetë personave të tjerë “për pjesëmarrje në struktura të huaja paraushtarake.
Dekani i Fakultetit të Sigurimit të Shtetit në Shkup, Nikola Dujovski, tha se në krahasim me vendet e tjera në rajon, siç është Bosnja, Maqedonia e Veriut ka pasur pak çështje terrorizmi.
“Por dobësia jonë më e madhe është kapaciteti i institucioneve për t’u marrë me këtë problem dhe veçanërisht mungesa e koordinimit midis të gjithë aktorëve, duke filluar nga institucionet shtetërore, gjykatat dhe prokuroritë, si dhe organizatat joqeveritare, përfshirë komunitetet fetare”, ai tha.
“Si një vend i vogël me kapacitete të kufizuara, ne vetëm tani kemi filluar ta forcojmë këtë koordinim, i cili mund të ndihmojë në përpunimin më të mirë të këtyre rasteve, si dhe në parandalimin dhe risocializimin më të mirë të këtyre njerëzve”, shtoi Dujovski.
Ashtu si shumica e ekspertëve të tjerë të intervistuar nga BIRN, Dujovski thotë se vendi ka në zbatim pak masa parandaluese kundër radikalizimit dhe ndihmës në risocializimin e të kthyerve.
“Të gjitha hulumtimet tregojnë se nxënësit e shkollave të mesme janë më të ndjeshëm ndaj radikalizimit, por ne nuk kemi pasur asnjë projekt parandalues të fokusuar te shkollat e mesme”, vuri në dukje ai.
Përveç përballjes me të kthyerit nga konfliktet e armatosura, disa çështje të brendshme në Maqedoninë e Veriut kanë rritur tensionet etnike dhe ato politike gjatë viteve të fundit.
Një shkëmbim zjarri dy-ditor midis disa personave të armatosur shqiptarë etnikë dhe forcave të sigurisë në qytetin verior të Kumanovës në maj 2015 la 18 të vdekur, përfshirë tetë oficerë policie.
Më vonë, 33 nga 37 të pandehurit u dënuan me një total prej 736 vitesh burg për terrorizëm. Katër të dyshuar u liruan nga akuzat. Shtatë nga të pandehurit morën dënime me burgim të përjetshëm.
Dy raste të tjera të profilit të lartë kanë shtuar tensionet etnike në vend – përfshirë vrasja masive të pesë maqedonasve etnikë në 2012 pranë Liqenit Smilkovsko, afër kryeqytetit, Shkupit.
Disa ekspertë, si Dujovski dhe kreu i Organit Kombëtar Koordinues, Borce Petkovski, thonë se për shkak të rreziqeve të politizimit dhe faktit që disa nga proceset nuk kanë mbaruar ende, ato duhet të shihen me vete nga çështjet që përfshijnë luftëtarët e huaj.
“Këto raste të brendshme duhet të shihen veçmas, pasi ato nuk janë të qarta”, tha Dujovski: “Politizimi dhe karakteri i tyre etnik i bën ato shumë të ndjeshëm dhe ne ende nuk jemi të qartë në disa prej tyre se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.”
Lidhur me sulmin famëkeq në parlament në vitin 2017, i cili synonte të ndalonte ndryshimin e qeverisë, Kodi Penal bën një dallim midis “vënies në rrezik terrorist të rendit kushtetues” dhe “terrorizmit”.
Në Kodin Penal, neni 313 flet për vënien në rrezik terrorist të rendit kushtetues dhe përshkruan sulmet kundër institucioneve. Një nen i veçantë, 394-b, merret me terrorizmin si rrezikim të rendit publik përmes vrasjeve, rrëmbimeve dhe akteve të tjera të dhunshme.